Avokatja e njërës prej grave të kthyera: Burri e dërgoi pa dëshirë, e lumtur dhe falënderuese që është në Kosovë

Avokatja Arbnora Zeqiri, e cila është mbrojtëse ligjore e njërës prej grave të kthyera nga Siria ditë më parë, ka thënë se klientja e saj ka përfunduar në vatrat e luftës me insistimin e bashkëshortit të saj.

“Ajo ka dhënë deklaratë në polici dhe në deklaratën e saj ka thënë se fillimisht ka shkuar me iniciativën e bashkëshortit, në vitin 2014. Për detajet tjera nuk është deklaruar. Ka shkuar pa dëshirën e saj me insistimin e bashkëshortit. Janë nisur për një udhëtim për Turqi dhe kanë përfunduar në Siri. Pesë vjet ka qëndruar atje”.

“Është e lumtur dhe falënderuese që sot është në shtetin e vet dhe e sigurt në shtetin e saj. Nuk ka dhënë informata se si është trajtuar. Gjendja e saj shëndetësore edhe psikologjike nuk është e mirë dhe kjo mund të tregojë se është maltretuar”.

Zeqiri ka pohuar në Info Magazine të Klan Kosovës se gjatë intervistimit nga autoritetet kosovare është trajtuar mirë.

“Tash është kthyer në familjen e saj. Është në një gjendje më të mirë se pas kthimit nga Siria”.

“Ne si mbrojtje e kemi kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë Speciale me faktin se ende është faza e hetimeve dhe Prokuroria nuk ka paraqitur prova që do t’i argumentojë pretendimet e saj se këto gra dyshohen për pjesëmarrje dhe organizim në grupe terroriste. Shumica e tyre kanë humbur bashkëshortët e tyre dhe janë pa përkujdesje”.