Avokati: Vendimi i radhës i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë ndryshe nga vendimi paraprak

Gjykata Kushtetuese vendosi që të pezullojë dekretin e Presidentit Thaçi në lidhje me mandatarin deri me datën 29 Maj.

Por sërish kjo Gjykatë pritet të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me këtë çështje dhe ta zgjidhë përfundimisht ngërçin politik të krijuar në vend.

Avokati Skënder Musa ka folur  mbi vendimin e mundshëm që pritet nga Gjykata Kushtetuese.

Musa thekson se vendimi i radhës mundet mos të jetë i njëjtë me vendimin paraprak por qartëson se do të zbatohet 100 %Kushtetuta.

“Vendimi përfundimtar i Gjykatës nuk duhet me u paragjykua. Sa i përket vendimit tjetër mundet edhe mos me qenë i njëjtë siç po e parashikojnë disa kolegë për shkak se Kushtetuta e Kosovës e ka qartë të përcaktuar se në rast se dështon partia e parë që i ka fitu  shumicën në zgjedhje atëherë i lihet mundësia Presidentit me shiku a po ja afron grupit më të madh parlamentar apo grupit që ka mundësi me ba shumicën e deputetëve. Gjykata Kushtetuse ka me i pas parasysh të gjitha mundësitë dhe 100% ka me zbatu Kushtetutën.”

Musa thotë se edhe vendimi i djeshëm i Komisionit të Venecias tregoi që ka besueshmëri  në vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Deri tash vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë zbatu prej të gjithëve dhe nuk janë kontestu. Gjykata Kushtetuese ka me zbatu Kushtetutën dhe vendimi ka me qenë shumë i drejtë . Ç’ka është me rëndësi edhe Komisioni i Venecias ka shpreh besim në Gjykatën Kushtetuse të Kosovës dhe s’ka dasht me ndërhy çka tregon se vendimet e saj kanë qenë profesionale” ka thënë Musa.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti  ditë më parë i dërgoi kërkesë për opinion Komisionit të Venecias në lidhje me kompetencat e presidentit të Kosovës në shpërndarjen e parlamentit dhe për propozimin e mandatarit për kryeministër të vendit.

Nga ky komision u vlerësua që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese.