Avokati me libër kundër SHIK-ut, në promovim merr pjesë edhe Sami Kurteshi VIDEO

Avokati i Sadri Ramabajës në rastin “Syri i Popullit”, Ramiz Krasniqi, ka promovuar të premtën librin “Ballë për Ballë me Krerët e SHIK-ut”, ku është përmbledhur ecuria e këtij procesi gjyqësor e shkeljet që sipas tyre kanë qenë evidente.

Autori i librit për Klan Kosova tha se në përmbajtje është përfshirë rasti me ish-prokurorin, Sylë Hoxha, i cili sipas tij ishte i papërshtatshëm që të ngritë aktakuzë për këtë rast, meqenëse në cilësinë e prokurorit emri i tij është atakuar në programin për kryerjen e atenateve.

Ndërkaq, Sadri Ramabaja, tha se drejtësia është përballur me udhëheqësit e shtetit në rastin ku ai ishte një nga të akuzuarit për përgaditje të atentateve ndaj disa liderëve shtetërorë. Sipas tij, të gjitha ato që janë paraqitur në libër mund të faktohen me procesverbale.

Në promovimin e librit pjesëmarrës ishin edhe Sami Kurteshi e Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, por që këta sipas Ramabajës këtu erdhën vetëm në cilësinë me miqve të tij.