Në konferencën e jashtëzakonshme për media të reperes së dyshuar për përvetësimin e jashtëligjshëm të qindra mijëra frangave, ka folur edhe avokati i saj, Artan Sadiku, i cili punon dhe vepron në Zvicër.

“Për mua si avokat në Zvicër, është shumë me rëndësi ta cekë se ende nuk mund të flasë detajisht pa i pasur aktet, pra ky është ligji. Çfarë ka rëndësi për mua është se Loredana nuk ka qenë asnjëherë në burgim por vetëm është marrë në pyetje”, ka thënë Sadiku, transmeton Ballkani.info.

Tutje ai ka thënë se në polici është folur për një shumë e cila nuk është e qartë.

“Dua të theksoj se mediat kanë folur për një shumë prej 700.000 franga, pasi që dyshimet kanë qenë për 350.000 franga, shumë kjo që ende nuk është vërtetuar dhe ka shumë paqartësi. Të presim deri në përfundimin e rastit që gjithçka të qartësohet. Dua të theksoj edhe diçka të rëndësishmë, klientja ime asnjëherë nuk ka pasur për qellim që ta dëmtojë dikë, dhe kjo do të vërtetohet edhe në gjykatë”, ka thënë avokati.

Pastaj avokati Artan Sadiku iu është drejtuar në gjuhën gjermane edhe mediave zvicerane që kanë qenë prezente në konferencë. Kujtojmë se njejtë ka vepruar edhe vetë Loredana, e cila ka folur në të dy gjuhët që gjithçka të jetë më e qartë. /Ballkani.info/