Avokati i këngëtarit, Labinot Rexha, Burim Halili, ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur sot pranë shtëpisë së klientit të tij.
Përmes një postimi publik, Halili ka sqaruar se, sipas rrethanave të rastit, bëhet fjalë për sulm dhe jo për rrahje, siç është raportuar apo interpretuar në disa media dhe portale.
Sipas avokatit, Rexha është sulmuar nga tre persona, në prani edhe të familjarëve të tyre. Halili thotë se këngëtari ka arritur të mbrohet, ndër të tjera, edhe falë aftësive të tij në artet marciale.
“Pavarësisht rrethanave, një veprim i tillë është i papranueshëm dhe duhet të trajtohet me seriozitet nga organet kompetente të rendit dhe drejtësisë”, ka shkruar Halili.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se mes Rexhës dhe njërit prej personave të përfshirë në rast ekziston një kontest gjyqësor, duke theksuar se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes institucioneve dhe jo përmes dhunës.
“Ky rast duhet të shërbejë si një mesazh i qartë për të gjithë se kontestet dhe mosmarrëveshjet zgjidhen në gjykata dhe përmes institucioneve të drejtësisë, e jo përmes dhunës”, është shprehur avokati.
Në fund të reagimit, Halili ka shprehur besimin se organet kompetente do ta trajtojnë rastin me profesionalizëm dhe paanshmëri.
“Le të shërbejë ky rast si mësim për të gjithë: mosmarrëveshjet zgjidhen me ligj, jo me dhunë”, ka përfunduar ai.







