Avokati Gazmend Halilaj flet për Ballkani.info: Runa Zot, kurrë s’kam abuzuar me vajzën

Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës ka shoqëruar në prokurori avokatin Gazmend Halilaj, i cili rreth dy javë më parë kishte sinjalizuar abuzimin seksual të nxënëses nga Drenasi.

Avokati që thotë ta ketë zbuluar rastin e vajzës në Drenas, kishte qenë mbrojtës i mësuesit të dyshuar për përdhunim.

Pas intervistimit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Halilaj ka folur ekskluzivisht për Ballkani.info.

Avokati ka thënë se nuk dëshiron të flasë rreth rastit derisa drejtësia të thotë fjalën e fundit.

“Nuk kam dëshirë të prononcohem rreth rastit derisa drejtësia ta thotë fjalën e fundit, për pyetjet e juaja mund t’i drejtoheni prokurorit. Jam ftuar nga prokuroria dhe kam dhënë deklaratën time, tashmë i jam kthyer punës”, ka thënë Halilaj.

I pyetur se a ka mundësi të jetë i përfshirë në rastin që prokuroria po pretendon, Halilaj ka hedhur poshtë çdo ‘akuzë’.

“Na ruaj Zot, në asnjë rrethanë nuk qëndrojnë pretendimet e prokurorisë, por do të presim që drejtësia ta thotë fjalën e fundit”, ka thënë Halilaj për Ballkani.info.

Pas publikimit të rastit të abuzimit me vajzën nga Drenasi, avokati Halilaj kishte pranuar edhe mirënjohje nga populli ku konsiderohej hero. Mirënjohjen, Halilaj e kishte publikuar edhe në rrjetin e tij social Facebook.

Por në anën tjetër, Halilaj ka thënë se nuk ia ofron vetes një epitet të tillë.

“Këtë punë e di populli, unë nuk mund të jap përgjigje”, ka përfunduar Halilaj.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së sotme ka njoftuar se avokati Gazmend Halilaj, nuk është arrestuar siç është raportuar në media, por se i njëjti ka qenë i ftuar për intevistim lidhur me rastin e të miturës në Drenas. /Ballkani.info/