Avokati e konsideron politik dënimin me burgim të kryetarit të FFK-së

Kryetari i Federatës e Futbollit të Kosovës, Agim Ademi së bashku me Muhamet Ramën, sot janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me burgim lidhur me akuzat për kërcënim me vdekje të një personi.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, e cila kryetarit të Federatës së Futbollit, Agim Ademit i ka shqiptuar dënim me burgim prej 9 muajve lidhur me veprën penale të detyrimit.

Ndërsa Muharrem Rama është dënuar me burgim prej një viti.

Agim Ademi dhe Muharrem Rama, akuzoheshin edhe për veprën penale të ushtrimit të ndikimit por lidhur me këtë vepër Gjykata ka marrë aktgjykim refuzues pasi që ka arritur parashkrimi.

KALLXO.com, e ka kontaktuar avokatin mbrojtës të Agim Ademit, Qazim Qerimin.

Qerimi për KALLXO.com ka thënë se aktgjykimin e Gjyaktës e konsideron të pabazë dhe do të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Normal që do të ushtrojmë ankesë, e konsideroj që është i pabazë aktgjykimi, nuk ka pasur fakte që Agim Ademi të shpallet fajtor fare. Kështu që me siguri do të ushtrojmë ankesë të shohim gjykata se çfarë do të bëj”, ka thënë Qerimi.

Ai thotë se ndaj Ademit as nuk është dashur të iniciohet procedurë penale, pasi sipas tij ai nuk ka pasur lidhje me palën e dëmtuar.

“Ndaj Agim Ademit as që është dashtë të iniciohet procedurë penale ai lidhje nuk ka pasur me palën e dëmtuar në këtë rast më tepër ka qenë procedura sikur vendim politik, tashti do të shikojmë. Nuk ish dashtë deri të vendos Gjykata e Apelit”, ka dekalruar më tej avokati mbrojtësi i Ademit.

Kryetari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi së bashku me Muhamet Ramen akuzoheshin se e kanë kërcënuar me vdekje një person. Sipas prokurorisë ata kishin qenë persona zyrtar kur kanë bërë ndryshimin e statusit të parcelës duke e shndërruar nga zona e gjelbëruar në zonë ndërtimore.

Në bazë të aktakuzës Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje në atë mënyrë që sipas Prokurorisë i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMË X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.

Tutje në pikën e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit BMW X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore.