Avni Mazreku: Largimi i Merkelit nga politika nuk e ndryshon qëndrimin e Gjermanisë ndaj Kosovës

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka deklaruar se nuk do të kandidojë për kryetare të partisë më të madhe në pushtet, CDU.

Ky lajm ka ngjallur reagime nga e gjitha bota, pasiqë pas vitit 2021 politika gjermane do të jetë pa Angela Merkel e cila po qeverisë Gjermaninë në katër mandate.

Njohësi i integrimeve europiane, Avni Mazreku ka thënë për Ballkani.info se largimi nga politika i Angela Merkel nuk e ndryshon qëndrimin e Gjermanisë në raport me Kosovën:

“Politika e jashtme e shtetit gjerman përkatësisht politika e jashtme gjermane raport me integrimet e Ballkanit Perëndimornë( ku përfshihet edhe Kosova) në Bashkimin Europian – nuk mendoj që do të ndryshoj qëndrimin gjerman raport me Kosovën varësisht prej ndryshimeve në pushtet të individëve të caktuar, sepse interesi i shtetit gjerman ekonomik, politik por edhe i sigurisë konsistojnë në funksion të integrimeve më të fuqishme europiane rrjedhimisht procesi i integrimeve europiane në cilindo version qeveritar do të jetë njëri ndër prioritetet kryesore të qeverive gjermane”, tha Mazreku

Më tutje, Mazreku ka folur edhe për rritjen ekonomike të Gjermanisë të qeverisur nga CDU. Sipas tij kjo qeverisje do të jetë doktrinë për mënyrën e progresit dhe faktorizimit gjerman në nivel global:

“Periudha CDU ka shënuar rritjen më të madhe ekonomike që ka ndikuar në faktorizimin politik global gjerman, por edhe faktorizimin ekonomik dhe të sigurisë në nivel global të Gjermanisë. Periudha e Merkelit duhet të quhet periudha historike, si doktrinë qeverisese që do të jetë sfidë për qeveritë e tjera”, përfundoi eksperti i integrimeve europiane, Avni Mazreku.

Gjermania ka përkrahur dhe vazhdon ta përkrah Kosovën në të gjitha proceset e shtet-ndërtimit. /Ballkani.info/