Një avion me ngjyrë të zezë, logoja “CR7” pranë derës së hyrjes dhe një prani misterioze në
pistën e Manchesterit. Të gjitha këto elemente mund të sugjeronin një vizitë të Cristiano
Ronaldos në qytetin ku u bë një yll i futbollit.

Megjithatë, duket se vetë portugezi nuk ishte në bord, ndërsa arsyeja e aterrimit aty lidhej me një problem teknik.

Sipas raportimeve nga “The Sun”, aeroplani privat i Ronaldos, “Bombardier Global Express
6500”, i vlerësuar rreth 73 milionë euro, u detyrua të kryente një ulje emergjente në aeroportin
e Manchesterit në fillim të kësaj jave.


Shkaku i incidentit ishte një çarje e zbuluar në një nga xhamat e mjetit fluturues, duke detyruar
pilotin të zbarkonte për të shmangur çdo rrezik. Ekuipazhi inxhinierik konfirmoi problemin dhe
ka kërkuar një pjesë zëvendësuese, por avioni nuk do të lejohet të ngrihet përsëri derisa të
kryhet riparimi.


Ndërkohë, Cristiano Ronaldo nuk kishte asnjë lidhje direkte me këtë incident, pasi ishte në
fushë me ekipin e tij Al-Nassr, të hënën mbrëma, gjatë ndeshjes ndaj Persepolis në kuadër të
AFC Champions League.

Megjithatë, prania e avionit të personalizuar me inicialet e tij në Manchester shkaktoi një stuhi
spekulimesh, duke nxitur tifozët dhe mediat angleze të mendojnë për një vizitë të mundshme
të CR7 në qytetin ku ai la gjurmë të thella në historinë e Manchester United.