Avdullah Hoti thotë se Lista Serbe do të ketë pjesëmarrje njësoj si në Qeverinë Kurti

I propozuari për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti ka deklaruar se përveç AAK-së kanë arritur marrëveshje bashkëqeverisëse edhe me një pjesë të komuniteteve, përfshirë Listën Serbe.

Ai ka theksuar se brenda ditës sotme ose nesërme do të përmbyllin gjitha marrëveshjet me Nismën, AKR-në, dhe një pjesë të komuniteteve.

Hoti pas takimeve në Kuvendin e Kosovës, tha se më parë që i përmbyllin këto marrëveshje do të procedojnë me seancën e jashtëzakonshme për t’u votuar kjo qeveri.

Përkundër insistimit, Hoti nuk dha detaje tjera për ndarjen dhe emrat e ministrave nga LDK-ja.

“Ne sot i kemi përmbyllur një pjesë të madhe të bisedave me partnerët tanë të koalicionit. Kemi përmbyllur marrëveshjen me AAK-në dhe një pjesë të madhe të komuniteteve jo shumicë…Jam i kënaqur për marrëveshjen që kemi arritur me AAK-në dhe partnerët tjerë të koalicionit. Parimet që e kemi bazuar në atë marrëveshje është programi qeverisës i LDK-së të cilin e kemi prezantuar më herët. Gjithashtu i kemi vendosur kriteret që do të qeverisim së bashku duke siguruar që rendi dhe ligji të jenë mbi të gjitha. Të gjithë ata që do të jenë të përfshirë në kabinet t’i përmbushin kushtet e nevojshme në këtë drejtim”, tha ai.

Duke mos u përgjigjur në pyetjen se a do të ketë një zëvendëskryeministër Lista Serbe në qeverinë që ai synon të udhëheqë, Hoti tha se Lista do të ketë pjesëmarrjen e njëjtë si në Qeverinë Kurti.

“Ata do të ketë pjesëmarrje ashtu siç kanë pas qeverinë tashmë në detyrë”, tha ai.

Mbi bazën e këtyre negociatave, i propozuari i LDK-së për kryeministër tha se pritjet janë që brenda ditës sotme ose nesër të përmbyllen gjitha marrëveshjet për koalicionin.

“Pritjet tona janë që brenda ditës të përmbyllim, nëse nuk arrijmë pastaj prapë nesër do të diskutojmë”, thotë ai.

Për deklaratat e liderit opozitar, Kadri Veseli se pas pandemisë vendi duhet të shkojë në zgjedhje, Hoti u shpreh se përderisa ka shumicë parlamentare, vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja.

“Për aq kohë sa mund të bëhet një shumicë parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk ka nevojë për zgjedhje”, tha ai.

Ndërkaq për unitetin brenda grupit parlamentar të LDK-së për të votuar qeverinë e re, Hoti tha se duhet respektuar vendimet e Këshillit Përgjithshëm të partisë. /KosovaPress/