Avdijaj po vlerësohet armë sekrete e Trabzonsporit

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Donis Avdijaj, pritet të jetë arma sekrete e Trabzonsporit në edicionin 2019/20, kanë shkruar mediumet turke.

Avdijaj, javën e shkuar u transferua te Trabzonspori si futbollist i lirë dhe qysh tash po konsiderohet përforcim i qëlluar.

Në fakt, ai po shihet si ylli i ekipit për edicionin e ri, pasi ka impresionuar trajnerin Unal Karaman gjatë fazës përgatitore. 22-vjeçari firmosi kontratë njëvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për tre vjet të tjerë.

“Donis Avdijaj që iu bashkua Trabzonsporit me shpresa të mëdha, por edhe me dyshime për shkak të sjelljeve të tij në të shkuarën, menjëherë ka shfaqur talentin e tij të jashtëzakonshëm. Ai ka rënë në sytë e trajnerit Karaman pas paraqitjeve të mira në javën e parë të fazës përgatitore”, ka shkruar e përditshmja turke “Fanatik”.