Autoriteti Palestinez dhe Hamasi mirëpritën të mërkurën njohjen e një shteti palestinez nga Irlanda, Spanja dhe Norvegjia, raporton Reuters.
Autoriteti Palestinez ushtron vetëqeverisje të kufizuar në territorin e Bregut Perëndimor, ndërsa Hamasi drejton Gazën.
Ministria e Jashtme palestineze, e cila është e vendosur në Bregun Perëndimor, doli me një deklaratë, duke e thënë se kjo është drejtësi e vonuar për popullin palestinez, por se lëvizja e këtyre tri shteteve është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Emigrantëve mirëpret vendimet e marra nga Spanja, Norvegjia dhe Irlanda për të njohur shtetin e Palestinës”, thuhet në deklaratë, raporton BBC.
“Me këtë hap të rëndësishëm, Spanja, Norvegjia dhe Irlanda kanë demonstruar edhe një herë përkushtimin e tyre të palëkundur ndaj zgjidhjes me dy shtete dhe për dhënien e drejtësisë së vonuar për popullin palestinez. Më tej, njohjet e Spanjës, Norvegjisë dhe Irlandës, janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të gjitha rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara, të cilat nga ana e tyre do të kontribuojnë pozitivisht në të gjitha përpjekjet ndërkombëtare drejt përfundimit të pushtimit ilegal izraelit dhe arritjes së paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Deklarata vazhdon duke u bërë thirrje shteteve të tjera që “të marrin këtë vendim parimor sa më shpejt të jetë e mundur”.
*Në fotografi: Tre krerët e qeverisë irlandeze duke folur për mediat gjatë një konference për shtyp të mërkurën. Fotografia: Damien Storan/PA







