Atmosferë festash pothuajse pa kufizime, mediat e huaja i kushtojnë vëmendje shpërthimit të virusit në Kosovë

Mediat e huaja i kanë kushtuar vëmendje situatës së rënduar në Kosovë, pas mijëra infektimeve e dhjetëra vdekjeve që ndodhën ditëve të fundit. Dy të përditshme, “SonntagsZeitung” zvicërane dhe “Heute” austriake, raportojnë se si qeveria hoqi pothuajse të gjitha masat kufizuese duke i ofruar “strehë” virusit Delta i cili përhapet me shpejtësi të madhe.

“SonntagsZeitung” në një artikull të gjatë shkruan se si shpërtheu vala e radhës e Covid-19 në Kosovë gjatë verës dhe se Zvicra nuk ishte e përgatitur për mërgimtarët që do të ktheheshin atje, pas një pushimi pa asnjë kufizim në Kosovë. Teksa “Heute”, raporton se në Kosovë ishte një atmosferë festash, dukë vënë në theks faktin se diskotekat dhe restorantet ishin të mbushura, si dhe dasmat e ahengjet po zhvilloheshin kudo.

“SonntagsZeitung” shkruan se në Prishtinë dhe qytete të tjera kishte atmosferë si në Mallorca.

Diskoteka, klube dhe restorante ishin plot deri në orët e para të mëngjesit. Nuk kishte masa paraprake, vështirë se dikush mbante ndonjë maskë.

“Teste false PCR në çdo cep”

Të kthyerit gjithashtu e sollën virusin në Austri, në disa raste me teste të rreme PCR, siç vazhdon “Heute”.

Qindra autobusë të mbushur me njerëz arritën në Zvicër nga fundi i pushimeve, dhe vështirë se ndonjë pasagjer mbante maskë gjatë udhëtimit 20-orësh. Një çertifikatë testimi në përgjithësi nuk kërkohej nga udhëtarët. Me teste të shpejta në stacionet e autobusëve, pozitivët mund të ishin identifikuar dhe do të ishin dërguar menjëherë në karantinë. Megjithatë, ata vazhduan ta përhapnin virusin në Zvicër, veçanërisht nëpër shkolla, të cilat tani po luftojnë me një numër të madh të rasteve.

Kosova po përballet me një situatë të rëndë me koronavirusin, pasi vetëm dje u raportuan 36 të vdekur dhe mbi 1 mijë e 600 të infektuar. Gjithashtu kemi mbi 26 mijë raste aktive me COVID-19.