ATK-ja intensifikon aktivitetet, për 9 muaj janë formalizuar 2 756 punëtorë të paregjistruar

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka intensifikuar aktivitete e saja karshi bizneseve të cilat dyshohet se kanë të padeklaruar punëtorët e tyre.

Një aktivitet i tillë është zhvilluar në Prishtinë të disa subjekte biznesore për të verifikuar nga afër listën e punëtorëve nëse janë të deklaruar siç kërkohet me legjislacion tatimore.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj tha se formalizimi i të punësuarve vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e këtij institucion dhe se me këtë qëllim kanë intensifikuar aktivitetet në këtë drejtim.

Ai ka bërë të ditur se nga muaji janar deri në shtator kanë arritur që të identifikojnë dhe formalizojnë 2 756  punëtorë të pa regjistruar.

“Si institucion, në vazhdimësi kemi trajtuar këtë dukuri dhe nga inspektimet që janë bërë bizneseve në teren nga muaji janar deri në shtator të këtij viti, kemi arritur që të identifikojmë dhe formalizojmë 2 756  punëtorë të pa regjistruar”.

Ai ka bërë të ditur se aktivitete në drejtim të formalizimit të punëtorëve do të zhvillohen edhe ditëve në vazhdim në lokacione të ndryshme të vendit.

Murtezaj ka bërë të ditur se aktualisht Administrata Tatimore ka filluar me zbatimin e tri projekteve të mëdha të përmbushjes, ku secila prej tyre ka indikacion të drejtpërdrejt në formalizmin e punëtorëve, projektet në fjalë si ai i punësimit joformal, ndërtimtarisë, akomodimit dhe shërbimit ushqimor janë të bazuara në metodologjinë e vlerësimit të rrezikut.

Ai ka sqaruar se këto tri projekte janë hartuar në bashkëpunim të ngushtë me FMN-në dhe përmes së cilave ne synojmë trajtimin e dukurisë së punësimit joformal apo punës së pa deklaruar, raporton EO.