Atdhe Nuhiu dhe Zymer Bytyqi ftohen te Kosova

Sulmuesi shtatlartë, Atdhe Nuhiu është ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes për ndeshjet e këtij muaji, miqësores kundër Lituanisë më 24 mars dhe dy ndeshjeve kualifikuese për botërorin “Katari 2022”, Suedisë dhe Spanjës.

Ndaj Suedisë, “Dardanët” luajnë në Prishtinë më 28 mars, kurse më 31 mars ndaj Spanjës në Sevilla. Burime të KOHËS kanë mësuar se bashkë me Nuhiun ftesë ka marrë edhe Zymer Bytyqi, ndërsa Anel Rashkaj ka mbetur jashtë listës.

“Po, Nuhiu do të jetë për ndeshjet e muajit mars. Ftesa i ka shkuar edhe Zymer Bytyqit, kurse nuk është ftuar Anel Rashkaj”, ka thënë në kushte anonimiteti një zyrtar i Federatës së Futbollit të Kosovës të mërkurën për KOHËN. Nuhiu 31-vjeçar është pjesë e skuadrës elitare të Qipros, APOEL Nikosia. Në 16 ndeshje të këtij edicioni ka kontribuar me një asistim, kurse në kuadër të kualifikimeve të Ligës së Evropës, në tri paraqitje ka shënuar një gol. Pjesë e Kosovës është që prej vitit 2017, ndërsa në 19 paraqitje ka shënuar tri gola. Ndërkohë, Bytyqi është pjesë e skuadrës elitare të Turqisë, Konyaspor. Këtë edicion në Superligën turke nuk ka shënuar asnjë gol, derisa ka asistuar tri herë.