Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, gjatë një konference për media, dje në Beograd, në prani të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, ka lëshuar një fyerje të rëndë në drejtim të liderëve të Kosovës, duke thënë se “janë njerëz të dalë nga mali”.

Këtë deklaratë, kryeministrja serbe e ka dhënë në prani të shefit të delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizio, gjatë një konference ku ishte folur edhe për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Si Fabrizi ashtu edhe Brukseli zyrtar deri më tash nuk kanë reaguar për këtë fyerje dhe për këtë racizëm të ulët të kryeministres serbe.

“Keni punë me njerëz të cilët faktikisht kanë dalë nga mali. Për ata është njësoj nëse atje ka luftë ose jo, dhe kjo më shqetëson”, ka thënë kryeministrja serbe.

Pas kësaj ka ardhur reagimi i menjëhershëm i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili i ka dërguar një porosi kryeministres së Serbisë, se ajo nuk do të mund të hyjë në Kosovë për sa kohë ndjek një ideologji raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës dhe ndërmjet etnive që jetojnë këtu.

“I pështirë dhe krejtësisht të papranueshme komentet e Kryeministres serbe Ana Brnanic në prani të shefit të Delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizi, ndaj Kosovës ‘që kemi të bëjmë me njerëzit që vijnë nga mali’”, ka shkruar Pacolli.

Për këtë sot ka reaguar edhe presidenti kosovar, Hashim Thaçi, shkruan Ballkani.info.

Thaçi kërkoi nga Bashkimi Evropian që sa më shpejt ta dënojë dhe të distancohet nga kjo “gjuhë raciste” e zyrtarëve të Serbisë, e cila, sipas tij, nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim.

“Ky veprim nuk paraqet asgjë të re dhe të jashtëzakonshme për ne, sepse ne e dimë shumë mirë karakterin gjenocidial të Serbisë së djeshme dhe asaj të sotme”, tha Thaçi.

Mirëpo, deri më tash askush nga zyrtarët e lartë të BE-së nuk kanë reaguar për këtë deklaratë.

As shefja e politikës së Jashtme, Federica Mogherini nuk ka reaguar dhe e cila njihet për ashpërsi ndaj Kosovës si për taksën ashtu edhe për ndonjë deklaratë të liderëve kosovarë. /Ballkani.info/