Ashton flet për sfidat në dialogun Kosovë-Serbi: Palët të ulen në tavolinë dhe të gjejnë përgjigje

Ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Catherine Ashton, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulen në tavolinën e negocimit dhe të gjejnë përgjigje për mospajtimet e tyre.

Ajo ka thënë se e ardhmja e tyre varet nga marrëdhëniet që krijojnë me Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet mes vendeve të rajonit.

Në një intervistë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Ashton ka reflektuar për kohën sa eka ndërmjetësuar dialogun mes këtyre dy vendeve dhe se si e vlerëson kontributin e saj në këtë proces..

Ajo ka folur për përvojën e saj si diplomate në librin e saj më të ri. “Dhe më pas çka: Rrëfimet e brendshme të diplomacisë së shekullit XIX”, i cili ka shërbyer si arsye për intervistë.

Ashton, ndër tjerash, ka folur edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në dialog, nëse Bashkimi Evropian po bën mjaftueshëm për ta mbajtur afër Ballkanin Perëndimor, dhe për ndikimin rus dhe atë kinez në rajon.

“Secila palë e di se e ardhmja e tyre varet pjesërisht nga marrëdhëniet që i ndërtojnë me Bashkimin Evropian, dhe pjesërisht nga marrëdhëniet që i krijojnë brenda rajonit të tyre. Dhe, kjo nënkupton gjetjen e një rruge për të krijuar një të ardhme që ofron paqe, siguri dhe sukses ekonomik për të dyja palët. Nuk ka qenë kurrë e lehtë – Marrëveshja e Brukselit ka qenë vetëm fillimi – mirëpo u bëj thirrje të dyja palëve që të ulen në tavolinë dhe të gjejnë përgjigje”.

Ashton është përgjigjur se cila ka qenë pjesa më e vështirë për t’i afruar palët deri te nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit

“Imagjinojeni këtë skenë: Dy kryeministra, në moshë të njëjtë, nga rajoni i njëjtë, që nuk janë takuar kurrë, dhe të cilët bartin shpresat dhe aspiratat e popujve të tyre, të përziera me historinë dhe traumën e së kaluarës. Ka qenë gjë e guximshme vetëm pjesëmarrja në dhomë të njëjtë. Sfidë ka qenë njohja e së kaluarës, humbjet dhe dhimbjet e shumë personave, si dhe krijimi i një vizioni, për të siguruar që të rinjtë në Kosovë dhe Serbi, mund të shikojnë përpara drejt së ardhmes në BE. Vështirësia më e madhe për liderët është përgatitja për të ecur përpara. Është më e lehtë që të mos bësh asgjë. Fatmirësisht, të dyja palët kanë qenë të përgatitura në atë drejtim”, është shprehur ajo.

E pyetur se në çfarë niveli ka dështuar BE-ja që t’i shtyjë të dyja palët që t’i tejkalojnë dallimet dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët, Eshton thotë se një arsye për mungesë entuziazmi qëndron te mungesa e përparimit të bërë nga vendet që duan të jenë anëtare.

“E kuptoj që ekziston shqetësimi në rajon, që BE-ja nuk është entuziaste – sa ka qenë dikur – për zgjerim. Megjithatë, nuk ka dilema që shtetet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së. Përkushtimi i bllokut është i qartë në punën që e bën Mirosllav Lajçak, për të vazhduar punën me Kosovën dhe Serbinë. Por, duhet bërë shumë punë edhe shtetet që duan të jenë pjesë e BE-së. Një arsye për mungesë entuziazmi qëndron te mungesa e përparimit të bërë nga vendet që duan të jenë anëtare. Nuk është një rrugëtim i lehtë, por ia vlen të bëhet”, shprehet ajo.