Sulmuesi i Real Madridit, Marco Asensio i ka hedhur poshtë kritikat që kanë mbërritur në drejtim të tij, teksa ka thënë se në skuadër ka futbollistë me më shumë eksperiencë që duhet t’i marrin përgjegjësitë e tyre.

Asensio nuk ka gjetur shumë hapësira këtë sezon duke treguar një formë të dobët në përgjithësi edhe pas emërimit të Santiago Solarit në stolin e “Los Blancos”.

Real Madridi ndodhet në vendin e 6-të në La Liga me 4 pikë më pak se rivali dhe lideri, Barcelona. Ndërsa nën drejtimin e Solarit kampionët e Europës kanë pasur përmirësime të ndjeshme duke arritur 2 fitore rresht në La Liga dhe 4 në të gjitha kompeticionet.

“Unë nuk shoh krizë te Real Madridi, dhe nuk besoj se më takon mua të kujdesem për skuadrën. Ka shumë futbollistë me eksperiencë dhe me më shumë pozitë se që kam unë, kurse janë ata që duhet të udhëheqin skuadrën. Kur erdhi trajneri i ri fillova të luaja më shumë por tani kam më pak minuta, do t’i bëjë llogaritë në përfundim të sezonit”, tha Asensio.

22 vjeçari i ka cilësuar të pa balancuara komentet që bëhen në drejtim të tij, teksa sipas tij kur është në formë të mirë llogaritet si më i mirë, por kur gjërat shkojnë keq shndërrohet në më të keqin.

Asensio i ka zhvilluar 17 paraqitje këtë stinor në të gjitha kompeticionet me Real Madridin duke shënuar edhe 2 gola.