Asamblisti i LVV-së tallet me Rizvanollin: Ministre veç tregona a duhet me qenë 10 apo 15 centimetra trashësia e stiroporit

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Ferizajt, Amir Rexhepi, është tallur me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kërkoi nga qytetarët që t’i izolojnë shtëpitë e tyre, si masë për kursimin e energjisë elektrike,.

“Izoloni shtëpitë, para se të bëhet ftohtë. Ndërroni mënyrën e ngrohjes”, ka thënë ministrja Rizvanolli.

Pas kësaj deklarate ka reaguar asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Ferizajt, Amir Rexhepi, i cili ka ironizuar me Rizvanollin.

“U bo ministre, po i izolojme, veç tregona per trashesine e stiroporit, sa duhet me qene 10 cm a 15 cm”, ka shkruar Rexhepi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Theksojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme nuk e votuan propozimin e Qeverisë së Kosovës për masat shtesë për gjendjen emergjente me energji elektrik.