Asambleisti i PDK-së në Komunën e Prizrenit, Tefik Tarashaj, ka bërë thirrje që qyteti i Prizrenit të stoliset me flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në prag të 16 shtatorit.
Përmes një kërkese publike drejtuar kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe drejtorit të Shërbimeve Publike, Islam Ukimeri, Tarashaj kërkon që qyteti të dekorohet në shenjë feste dhe nderimi.
Ai ka bërë thirrje që 16 shtatori të shënohet me krenari, dinjitet dhe madhështi, duke e lidhur këtë datë me pritjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Le ta presim 16 shtatorin me krenari, dinjitet dhe madhështi, duke nderuar ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Tarashaj.
Në kërkesën e tij, asambleisti i PDK-së shprehet se kjo duhet të jetë një festë që dëshmon, sipas tij, se lufta e UÇK-së “ka qenë, është dhe do të mbetet luftë për lirinë e popullit tonë”.
Tarashaj u ka bërë thirrje institucioneve komunale që Prizreni të marrë pamje festive në këtë datë, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më të rëndësishme pas Pavarësisë së Kosovës.







