As Polonia nuk i njeh zgjedhjet parlamentare ruse në Krimenë e okupuar

Ministria e Jashtme polake përmes një postimi në faqen e internetit të Ambasadës Polake në Ukrainë, u shpreh në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare ruse në Krime dhe Donbas.

Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë e konsideron të paligjshme mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare ruse në gadishullin e Krimesë, të pushtuar ilegalisht nga Federata Ruse. Ministria gjithashtu dënon dhënien masive të pasaportave ruse për qytetarët ukrainas dhe organizimin e votimit elektronik në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore, duke rikonfirmuar mbështetjen e saj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Ministria e Jashtme polake gjithashtu shpreh keqardhje për faktin që autoritetet ruse parandaluan organizimin e misionit vëzhgues të OSBE-së.

Veprime të tilla të Kremlinit hedhin dyshime mbi synimet e Federatës Ruse për të mbështetur vlerat demokratike dhe janë një përpjekje e pajustifikueshme për të minuar standardet demokratike.

Ministria e Jashtme polake vëren se fushata sistematike e qeverisë ruse, e drejtuar kundër shoqërisë civile, opozitës dhe mediave të lira ruse, e bëri të vështirë qasjen në informacion të pavarur, duke e bërë të pamundur që përfaqësuesit e opozitës të propozojnë kandidatë dhe gjithashtu e ndërlikoj seriozisht zgjedhjen e rusëve në përputhje me preferencat e tyre.

Kjo situatë e krijuar mund të ngrejë dyshime për legjitimitetin e deputetëve të rinj, thuhet në fund të deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Polonisë