As ndryshimi në Twitter s’i kryen punë Gërvallës, gabon përsëri

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, duket se ka kryer një tjetër lëshim në një postim në Twitter.

Në këtë postim, ministrja Gërvalla-Schwarz ka uruar tashmë homologun e saj, Ratisllav Kaçerin për pranimin e detyrës së Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë.

Sllovakia është një prej pesë shteteve që nuk e njohin Pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Por, Gërvalla që fatmirësisht njeh Pavarësinë e Kosovës dhe që po punon në sjelljen e njohjeve të reja, fatkeqësisht ka treguar se nuk e njeh aq mirë gjuhën angleze.

Ajo ka dështuar që të shkruajë si duket fjalinë “I look forward to working…” duke ia ndërruar kohën foljes “work”.

Duhet kujtuar se Twitter ka paralajmëruar një ndryshim të rëndësishëm që mund t’i hyjë në punë Gërvallës: vendosjen e butonit të redaktimit të postimit.

Ky është statusi i plotë i shefes tonë të diplomacisë i përkthyer në gjuhën amtare:

“Urime për Ratisllav Kaçerin për përgjegjësinë e tij të re si ministër i Jashtëm dhe i Punëve Evropiane në Sllovaki. Mezi pres të punojë në zgjerimin e raporteve miqësore mes Kosovës dhe Sllovakisë. Ne ndajmë të njëjtat vlera të BE-së dhe jemi të bashkuar në mbështetjen e palëkundshme për Ukrainën.”