Ferizaj ka marrë një lajm shumë të mirë për sportin dhe të rinjtë e qytetit. Futbollisti i ri Artur Hyseni është përzgjedhur pjesë e Kombëtares së Kosovës U13, duke u bërë kështu i vetmi lojtar nga Rajoni 05 që do të përfaqësojë Kosovën në këtë grupmoshë.
Kjo përzgjedhje vjen si rezultat i talentit, punës dhe disiplinës së vazhdueshme që Arturi ka treguar në rrugëtimin e tij në futboll.
Ai po konsiderohet si një prej talenteve të reja që po premton shumë për të ardhmen e futbollit kosovar. Arturi vjen nga një familje intelektuale dhe atdhetare, ku edukata, përkushtimi dhe vlerat janë pjesë e rëndësishme e rritjes së tij.
Ky sukses shihet si fryt i mbështetjes së familjes, i përkushtimit personal të Arturit dhe i punës së klubit ku ai po zhvillon talentin e tij.
Përzgjedhja e tij në Kombëtaren e Kosovës U13 është një moment krenarie për Ferizajn dhe për gjithë Rajonin 05, ndërsa pritet që Artur Hyseni ta përfaqësojë me nder Kosovën në vazhdim të rrugëtimit të tij sportiv.







