Arta Ramës i përfundon mandati, Kuvendi shpallë konkursin për gjyqtar të Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese këtë vit do të mbetet pa kryetaren e saj, pasi Arta Rama-Hajrizit, që e udhëheq këtë institucion që nga viti 2015, i përfundon mandati pas tre muajve, në qershor të 2021. 

Pikërisht për këtë Kuvendi i Kosovës ka shpallur konkursin për një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Arta Rama-Hajrizi u zgjodh gjyqtare e Kushtetueses në vitin 2012 dhe për 9 vite ka qenë një nga 9 anëtaret e këtij institucioni, shkruan Reporteri.net.

Ballkani.info ditë më parë ka raportuar se Ramës i përfundon mandati dhe ajo duhet të zëvendësohet.

Rregullorja e Gjykatës Kushtetuese përcakton se “zgjedhja për Kryetar dhe për Zëvendëskryetar mbahet një muaj para skadimit të mandatit të Kryetarit dhe të Zëvendëskryetarit në detyrë”.

“Në rast se posti mbetet menjëherë i zbrazët, zgjedhja për Kryetar duhet të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe Zëvendëskryetari ushtron rolin e Kryetarit të përkohshëm deri në hyrjen në fuqi të mandatit të Kryetarit të ri. Në rast se nuk ka Zëvendëskryetar, gjyqtari me përvojën më të gjatë ushtron rolin e Kryetarit të përkohshëm. Nëse një ose më shumë gjyqtarë kanë kaluar kohë të njëjtë në Gjykatë, atëherë gjyqtari më i vjetër për nga mosha konsiderohet gjyqtari me përvojë më të gjatë për qëllim të këtij rregulli”, thuhet në Rregulloren e Gjykatës Kushtetuese.

Zëvendëskryetar i Kushtetuese është Bajram Ljatifi, i cili është zgjedhur gjyqtar në këtë gjykatë në vitin 2018.

Kujtojmë që gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Kuvendit për një mandate nëntëvjeçar, pa mundësi vazhdimi.

E përveç se duhet të jenë jurist të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë, gjyqtarët e Kushtetueses duhet të kenë jo më pak se dhjetë vjet përvoje profesionale përkatëse.

Ndër vite është raportuar për politizim të procesit të zgjedhjes së gjyqtarëve të Kushtetueses. Përveç afërsive me partitë politike, mediat kanë raportuar edhe për gjyqtar të dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndërkaq Rama-Hajrizi para se të emërohej në Gjykatën Kushtetuese ishte pjesë e misionit diplomatik duke ushtruar detyrën e konsullit të Përgjithshme të Konsullatës së Kosovës në Neë York. Gruaja në krye të Kushtetueses ishte pjesëmarrëse në grupin e ekspertëve në Komisionin për Hartimin e Kushtetutës së Kosovës dhe të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

Krahas kësaj, Rama-Hajrizi do të mbahet mend edhe për mos prononcim në media për punën e Gjykatës Kushtetuese.