“Shihemi në Gazimestan për Vidovdan me simbolin tim kombëtar!”

Kështu ka thënë sonte lideri i Demokracisë Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, duke e sfiduar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, transmeton Ballkani.info.

Festimi i “Vidovdanit” pa flamuj dhe simbole serbe

Ky reagim vjen pasi Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi të anulojë vendimin e Komunës së Graçanicës për vendosjen e flamurit të shtetit të Serbisë dhe simboleve për Vidovdanin, pas ankesës së Ministrisë së Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale të Kosovës, por edhe vetë në prag të 28 qershorit.

Gjykata konsideron se një vendim i tillë i Komunës së Graçanicës ka cenuar rëndë karakterin unik dhe “kushtetues të Kosovës”, se komuna nuk ka të drejtë të shpall pushime jashtë Ligjit për festat shtetërore dhe se vendimi mund të shkaktojë tensione ndëretnike – “sidomos nëse perceptohet se autoritetet komunale po favorizojnë një komunitet në kundërshtim me ndjenjën e rendit juridik dhe të komuniteteve të tjera”.

Gjykata po ashtu tha se ky aktgjykim duhet të shërbejë si model veprimi, jo vetëm për komunën e paditur, por edhe për të gjitha komunat e tjera në të ardhmen. /Ballkani.info/