Arsenali: Xhaka, gjithnjë pjesë e familjes Arsenal

Me një video emocionuese, Arsenali ka falënderuar mesfushorin kosovar, Granit Xhaka, për kontributin shtatëvjeçar në klubin e madh anglez.

Lojtari është larguar në drejtim të Bayer Leverkusenit.

“Topçinjtë” e kanë përshëndetur me një video në të cilën ai ka folur për periudhën në Londër. Ai ka treguar se e ka pasur fillimin e vështirë tek Arsenali, por se e ka të paharrueshme përvojën aty.

“297 paraqitje, 23 gola, 29 asistime, dy Kupa FA. Dhe një rrëfim inspirues. Granit Xhaka: përherë pjesë e familjes së Arsenalit”, ka shkruar klubi si përshkrim të videos.

Është raportuar se Xhaka ka kaluar në klubin gjerman për 25 milionë euro. Sipas kontratës, Xhaka do të jetë te Leverkuseni deri në vitin 2028. Te Leverkuseni kanë pritje shumë të mëdha nga Xhaka, të cilin e kanë prezantuar si “maestro të mesfushës”.

Xhaka ka luajtur me sukses tek Arsenali që nga viti 2016. Ka pasur periudhat e tij të vështira, por kryesisht është paraqitur në nivel të lartë dhe ishte i rëndësishëm. Ka shkëlqyer sidomos në edicionin e fundit. Por megjithatë vendosi të largohet nga londinezët. Ai kthehet në Bundesligë ku ka luajtur nga viti 2012 deri në vitin 2016. Ishte pjesë e Borussia Moenchengladbach.