Arsenali po bën çmos për ta larguar Mustafin

Arsenali është duke tentuar ta largojë Shkodran Mustafin nga skuadra para se të mbyllet afati kalimtar për klubet jashtë Anglisë në Evropë, pas tri javëve.

Klubi londinez është i gatshëm ta lejojë qendërmbrojtësin gjerman të largohet edhe në formë huazimi në mënyrë që të mos jetë i detyruar t’i paguajë 80 mijë eurot në javë të pagës së tij.

Sipas The Sun, trajneri Unai Emery i ka thënë Mustafit se ai nuk ka të ardhme në stadiumin “Emirates” dhe ai duhet ta vazhdojë karrierën e tij si futbollist profesionist me ndonjë klub tjetër.

Qendërmbrojtësi 27-vjeçar i kushtoi Arsenalit 35 milionë funte, kur u transferua nga Valencia para tre vjetëve, mirëpo tani ai mund të shitet për vetëm 15 milionë funte.

Arsenali do t’i ketë shtatë qendërmbrojtës në skuadër kur të gjithë të jenë të rikuperuar nga lëndimet, si dhe Nacho Monrealin, i cili luajti si pjesë e mbrojtjes me tre persona gjatë një pjese të madhe të sezonit të kaluar.

Dhe Mustafit i është thënë se ai është i fundit në këtë listë të gjatë, pasi që nuk arriti të jetë as në stol për ndeshjen e parë të sezonit të ri të Premierligës, kundër Newcastleit.

Mustafi i bëri 39 paraqitje për “Topçinjtë” sezonin e kaluar, mirëpo u fishkëllye nga tifozët në disa prej ndeshjeve miqësore të Arsenalit gjatë turneut parasezonal dhe tani ai e pranon se duhet të shkojë përpara.

Ai u ka rezistuar tentimeve të Arsenalit për ta shitur atë gjatë dy verave të kaluara, mirëpo tani frikësohet se mund të mbetet pa e zhvilluar asnjë ndeshje gjatë gjithë sezonit, gjë që mund t’ia dëmtojë të gjithë karrierën.

Emery e konfirmoi mundësinë e largimit të Mustafit, duke thënë: “Unë fola me Mustafin para dy javëve kur i thashë se ka mundësi që ai do të largohet. Jam shumë i lumtur me skuadrën që e kam, por afati kalimtar është ende i hapur në disa vende të tjera dhe gjatë javëve në vazhdim ne mund t’i humbasim disa lojtarë”

Një numër i klubeve italiane kanë qenë të interesuar për Mustafin, përfshirë këtu Milanin, Lazio dhe Sampdorian. Mirëpo, ai mund t’iu ofrohet në formë huazimi edhe gjigantëve turk – Fenerbahces ose Galatasaray.

loading…