Arsenali mohon takimet me Mourinho

Arsenali e ka mohuar se drejtori i vet i futbollit, Raul Sanllehi, është takuar me Jose Mourinhon për të biseduar për mundësinë e zëvendësimit të Unai Emery në postin e trajnerit të topçinjve, sipas Goal dhe Sky Sports.

Emery është nën presion të madh në Arsenal, një pjesë e tifozëve të të cilit janë kthyer kundër tij për shkak të një ecurie tejet negative prej vetëm dy fitoreve në nëntë ndeshjet e fundit në Premierligë.

Trajneri spanjoll mori kritika të ashpra pasi Arsenali e lëshoi epërsinë nga duart për herë të tretë brenda javës dhe barazoi 1-1 me Wolves të shtunën.

Pas kritikave të vazhdueshme për rezultatet dhe taktikat e lojës së tij, kanë nisur edhe thashethemet se kush do të mundë ta zëvendësojë Emeryn, nëse Arsenali vendos ta shkarkojë përfundimisht.

Së fundmi u përfol se kandidat serioz ishte Jose Mourinho, ish trajner i rivalëve Chelsea dhe Manchester United.

Të dielën në mëngjes media të shumta shkruan se Mourinho ishte takuar me Sanllehin për darkë, duke i nxitur spekulimet për shkarkimin e Emery.

Por, Sky Sports dhe Goal thonë se burime të tyre në klub bëjnë të ditur se një takim i tillë nuk ka ndodhur.

loading…