Arsenali me lehtësi fiton në Çeki dhe shkon tutje

Me tri gola të shënuar në pjesën e parë, dhe një në pjesën e dytë, Arsenali ka kaluar tutje në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.

“Revolveristët” të enjten mbrëma, shënuan fitoren në Republikën e Çekisë kundër Slavia Pragës me rezultatin 4:0.

Granit Xhaka luajti titullar dhe e kompletoi ndeshjen në këtë fitore.

Para se t’i gëzohej golit të parë, Arsenalit iu anulua goli i Emile Smith Rowe në minutën e 14-të për pozitë jashtë loje.

Katër minuta më vonë, Nicolas Pepe shfrytëzoi asistimin e Smith Rowe dhe realizoi për golin e parë në ndeshje.

Në minutën e 21-të, penalltinë e fituar, sulmuesi francez Alexandre Lacazette e konvertoi në gol.

Të udhëhequrit e Mikel Artetas vazhduan me lojë të mirë dhe shënuan edhe në minutën e 24-rt nëpërmjet Bukayo Sakas.

13-të minuta para fundit, Lacazette shënoi edhe një gol tjetër në stadiumin Sinobo, për rezultatin final, 4:0.

Në gjysmëfinalen e 29-të prillit, Arsenali do të luajë kundër Villarrealit që drejtohet nga ish-trajneri i “revolveristëve”, Unai Emery.