Arsenali

Arsenali mbetet pa shërbimet e lojtarit kyç për ndeshjen ndaj Portos

Gabriel Martinelli do të humbasë ndeshjen e nesërme (e martë) ndaj Portos për shkak të lëndimit që ka pësuar ndaj Sheffield Unitedit në Ligën Premier, ka raportuar The Athletic.

Braziliani shënoi në minutën e 15-të të pjesës së parë ndaj Sheffieldit, por u desh që të zëvendësohej në minutën e 64-të për t’ia liruar vendin Gabriel Jesusit për shkak të lëndimit.

22-vjeçari nuk ishte pjesë e stërvitjes që u mbajt sot (e hënë) dhe duket se mungesa e tij në këtë takim është diçka e pashmangshme.

Ky lajm vjen si një goditje e rëndë për ekipin e Mikel Artetës të cilët do të duhet të synojnë rikthimin e rezultatit pa sulmuesin i cili ka shënaur tetë gola dhe ka dhuruar pesë asistime këtë sezon.

Martinelli gjithashtu ishte ftuar edhe nga kombëtarja e Brazilit për miqësoret ndaj Anglisë dhe Spanjës më vonë gjatë këtij muaji, por pjesëmarrja e tij aty tani është në dyshim të madh.

Rikthimi i brazilianit pritet të jetë në duelin ndaj Manchester Cityt në kuadër të Ligës Premier që do të zhvillohet pas pauzës me kombëtare.