Arrestohet në Durrës 20 vjeçari nga Kosova i dënuar për grabitje, vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore

Policia e Shtetit Shqiptar sot ka informuar se ka arrestuar në Durrës një 20 vjeçar, i dënuar për grabitje, vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore, i arratisur nga Qendra Korrektuese e Lipjanit, në tetor 2020.Sipas policisë, i arrestuari është shtetas kosovar, të cilit gjatë kontrollit në banesën në Durrës, policia i ka sekuestruar lëndë narkotike.

“U bë kapja dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, i shtetasit Riad Sopjani, 20 vjeç, banues në Prishtinë, i dënuar më parë në Kosovë, për grabitje, vjedhje dhe trafikim të qenieve njerëzore. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën ku ai strehohej në Durrës, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike cannabis sativa.”, ka informuar policia.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ILECU Kosovë, pasi është i kërkuar në nivel vendor në Kosovë dhe ka tre urdhra ndalimi të lëshuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga strukturat hetimore të DVP Durrës u bë arrestimi provizor i tij, me qëllim ekstradimin në shtetin e Kosovës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.”, ka informuar tutje policia.