LAJMI I FUNDIT

Arrestohet ish-sekretari i Ministrisë së Tregtisë, dyshohet se po transportonte drogë në Mal të Zi

Ish-sekretari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Burim Rreci, është arrestuar nga autoritetet në Mal të Zi. Rreci është arrestuar nën dyshimin se po transportonte marihuanë.

Burime të Demokracia.com bëjnë me dije se Rreci ishte në veturën e sekuestruar me pakot e marihuanës kur është arrestuar nga policia malazeze.

Mediat në Mal të Zi kanë raportuar se policët dhe doganierët malazezë kanë sekuestruar pothuajse 50 kilogramë marihuanë në terminalin e pikës kufitare Debeli Brijeg.

“Policët, së bashku me anëtarë të Drejtorisë së të Hyrave dhe Doganave, në orët e hershme të mëngjesit kanë gjetur shtatë pako me përmbajtje të lëndës narkotike marihuanë”, thuhet në njoftimin e policisë malazeze, transmeton Demokracia.com.

Aktivitetet e koordinuara të Drejtorisë së Policisë dhe Drejtorisë së të Hyrave dhe Doganave mëngjesin e sotëm rreth orës 03:30 kanë parandaluar, siç thonë ata, kontrabandën e lëndës bimore që dyshohet se është droga narkotike marihuanë me peshë rreth 48.2 kilogramë.

“B.R është privuar nga liria për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të prodhimit, posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve. Masat dhe veprimet e mëtejshme policore-prokuroriale për këtë rast janë në vazhdim e sipër”, thuhet në njoftimin e policisë malazeze.

Demokracia.com ka provuar të kontaktojë me Rrecin dhe avokatin e tij, por të njëjtit nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike.