Arrestohen 7 shqiptarë në Spanjë për trafik droge, një 25-vjeçar bie nga çatia e fermës së kanabisit teksa i ikte policisë

Arrestohen 7 shqiptarë në Spanjë për trafik droge, një 25-vjeçar bie nga çatia e fermës së kanabisit teksa i ikte policisë

Policia spanjolle ka vendosur në pranga shtatë shqiptarë për trafik droge. Ata u kapën pas një aksioni të agjentëve spanjollë në Valencia ku ka humbur jetën edhe një 25-vjeçar.

Gjatë aksionit të policisë në fermën e kanabisit, i riu ka vrapuar duke hipur mbi çatinë e ndërtesës ku kultivohej marijuana, por gjatë tentativës për t’iu arratisur policisë ai ka rënë nga lartësia.

I riu është dërguar menjëherë në spital por nuk ka mundur të mbijetojë. 25-vjeçari ishte i përfshirë në trafikun e drogës së bashku me personat e tjerë.

Mediat dhe autoritetet spanjolle nuk bëjnë të ditur nëse 25-vjeçari ishte me origjinë nga Shqipëria por konstatojnë se grupi i të arrestuarve ishin të gjithë shqiptarë.

Pas kontrolleve agjentët zbuluan se pjesa e brendshme e ndërtesës ishte një fermë industriale droge me një plantacion të madh marihuane. Oficerët e policisë kontrolluan edhe kuvertën e anijeve aty pranë dhe arrestuan shtatë persona, të gjithë me origjinë shqiptare.