Vjosa Osmani foli për sulme e atentate, ndërsa e arsyetoi sjelljen e mbrojtjes së afërt të saj ndaj kameramanit të Paparacit, Jetmir Muji dje, i cili po i incizonte xhipat e zinj në afërsi të një shkolle ku ndjekin mësimin vajzat e presidentes.
“Unë e di që ju s’na rrezikoni, mirëpo urrejtja që po nxitet pastaj na rrezikon”, tha Osmani në një bashlëbisedim me gazetarë në Presidencë.
“As nuk po e them që ndonjëri prej jush që jeni këtu e kërkoni një gjë të tillë. Pse me kërku ju që një fëmijë i vogël me u kërcënu me dhunim e me vrasje? Pse qenka kjo në interes të kujtdo, pos të armiqve të Kosovës? Nuk është në interes të askujt, asnjë njeriu normal një gjë e tillë”, tha ajo.
Por shtoi se “ju e dini në të kaluarën çka ka ndodhë”, ndërsa përmendi edhe vrasjen e mbrëmshme në SHBA të Charlie Kirk, aktivistit konservator të Donald Trump, si dhe atentatin ndaj presidentit amerikan gjatë fushatës presidenciale.
Nxitja e urrejtjes, nxitja e dhunës, përfundon me dhunë. Ka pasur atentat politik ndaj një aleati të presidentit Trump mbrëmë. Ka pasë atentat ndaj presidentit Trump, që kanë shumëfish e shumëfish mbrojtje të afërt më shumë se ne. Këto janë rezultat i nxitjes së urrejtjes.







