Arrestimi i dy personave për ushtrim ndikimi në listën e granteve, reagon ministri Peci

Dy persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë pranuar një shumë të parave në emër të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, me premtimin se do të ushtrojnë ndikimin për futjen e dy aplikuesve për grante në listën e përfituesve në atë ministri.

Për këto arrestime është deklaruar Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci. Duke u shprehur se veprimet e ndërmarra nga organet e rendit dhe të drejtësisë janë një shembull i mirë në luftimin e dukurive të tilla.

“Mbetem i përkushtuar në luftën kundër tentativave të tilla, krimit dhe korrupsionit. I falënderoj bujqit tanë për bashkëpunim dhe ndarje të informacioneve me ne dhe organet e rendit, si dhe i inkurajojmë ata që edhe në të ardhmen t’i denoncojnë parregullsitë dhe tentativat e tilla negative”, tha me këtë rast Ministri i BPZhR, Faton Peci.

Të arrestuarit dyshohen për kryerjen e veprës penale ”Ushtrim i ndikimit”.