Aro Muriq s’ka vend si titullar te Nottinghami, trajneri e përgëzon për profesionalizëm

Trajneri i skuadrës Nottingham Forest, Sabri Lamouchi, e ka përgëzuar portierin Arijanet Muriq për qëndrimin profesional, edhe pse tash e një kohë është lënë jashtë formacionit titullar.

Megjithatë, trajneri i ekipit ka thënë se portieri i ri do të kthehet fuqishëm me formë, por do ta fitojë edhe vendin në 11-shen e parë, në një të ardhme të afërt.

Muriq e nisi kampanjën si portieri i parë i “Të Kuqve”, pasi u huazua nga Manchester City, por disa gabime në paraqitje kanë bërë që vendin e tij ta zërë portieri me më shumë eksperiencë, Brice Samba.

“Jam i fokusuar në situatë dhe ajo duhet të qëndrojë si e tillë pasi e kemi gjetur rrugën e duhur. Aro po bën punë të mirë. Është pozitiv në stërvitje dhe është djalosh i mirë. Si 21-vjeçar e portier i ri, ai ka kualitete. Ka luajtur dy ndeshje në nëntor me shtetin e tij dhe është kthyer në stërvitje me ne. Është profesionist”, ka deklaruar trajneri Lamouchi, shkruan “Nottinghampost”.

Në pesë ndeshje sa i zhvilloi në “Championship” dhe në Kupën EFL, Muriq ka pranuar nëntë gola.