Arnold Gjergjaj me brinjë të thyer e rreh Moyon, fiton edhe Nuri Seferi

Arnold Gjergjaj më në fund e ka gjetur rrugën e fitores dhe atë me mund dhe vuajtje të mëdha. Boksieri shqiptar i Zvicrës e rrahu Elvis Moyon nga Zimbabveja të shtunën në një meç të kategorisë së rëndë të boksit në Zvicër.

Për veç tij, edhe Nuri Seferi, i cili i mbron ngjyrat kuqezi, e fitoi meçin e tij ndaj Rad Sharid.
Pas tri humbjeve radhazi, të fundit para më pak se dy muajve ndaj turkut Umut Camkiran për titull të kampionit të Evropës, Gjergjaj me nofkën “Kobra”, e regjistroi fitoren e 33-të nga 36-të meçe në karrierë.

Arnold Gjergjaj kundër Elvis Moyo

Por, Gjergjaj vuajti shumë: në rundin e tretë, ai mori një goditje në pjesën e pasme të trupit, që thuhet t’ia ketë thyer brinjët.

“Pas asaj goditje mezi kam lëvizur. Jam i sigurt se diçka kam thyer”, tha Gjergjaj pas meçit.

Vlerësimet e para thonë se ai i ka thyer brinjët.

Gjergjaj, megjithatë, u mbajt dhe fitoi në fund me pikë, pas një vendimi unanim të gjyqtarëve.

Pas këtij triumfi të rëndësishëm, Gjergjaj thotë se dëshiron rimeç me turkun Camkiran.