Armend Muja thotë qe pagat në sektorin privat janë rritur, qytetarët e kritikojnë ashpër

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe njëkohësisht kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Armend Muja, ka deklaruar se nxjerrja e parave nga Trusti do të përbënte një precedent të rrezikshëm.

Sipas Mujës, tërheqja e këtyre parave do të shkatërronte sistemin pensional të Kosovës dhe LVV nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Trustit.

“Nuk do të ketë ndryshim të qëndrimit. Këtë qëndrim e kemi marrë në vitin 2020 edhe kur ka qenë tërheqja e parë edhe e dyta, pikërisht me këto arsyetime, se në rast se krijohet mundësia, hapet dritarja që të tërhiqet një herë ajo, krijohet një precedent i rrezikshëm, i cili në tërësi e shkatërron skemën pensionale të Kosovës”, ka thënë ai gjatë një interviste për emisionin “Përballje” të Telegrafi.com.

Përveç kësaj, Muja u ndal edhe të situata e shkallës së lartë të inflacionit në Kosovë. Në përpjekje për të zbutur krizën, deputeti i VV-së, më vetëbesim të paparë tentonte të shpjegonte se si përqindja e nivelit të pagave e ka tejkaluar atë të inflacionit.

Në përpjekje për ta arsyetuar qëndrimin e tij kundër tërheqjes së parave nga Trusti, deputeti Muja mori disa shembuj banal krahasimi statistikash. Sipas tij, pagat e sektorit kanë përjetuar rritje 13 për qind, pra 4 për qind më shumë se sa inflacioni.

“Thuhet që shkalla e inflacionit ka shkuar në 12%, prej 1 janarit vlerësohet që mesatarisht inflacioni është rritur 9 për qind, kështu thotë ASK-ja. Nëse shikon rrogat në sektorin privat sipas ASK-së, janë rritur 13 për qind, që do të thotë pak përtej shkallës se inflacionit”, tha Muja.

Kjo deklaratë e Mujës ngjalli jo pak reagime nga shumë qytetarë të prononcuar nga Nacionale.

Përveç qytetarëve, edhe anëtari i VV-së, Edison Jakurti, e bëri horë Mujën i cili tha se krahasimet e inflacionit të vitit 2022 me nivelin e pagave 2012-2021 nga ASK-ja nuk qëndrojnë nisur nga fakti që këtu kemi të bëjmë me disproporcion kohorë.

“Në bazë të të dhënave të ASK-së del se inflacioni në Kosovë gjatë 5 muajve të parë të këtij viti ka qenë rreth 9.7%. A e kanë ndjekur pagat këtë trend? ASK-ja nuk publikon të dhëna mujore për pagat. Të dhënat e fundit janë për vitet 2012-2021. Gjatë kësaj periudhe, norma vjetore e rritjes së pagës mesatare neto, në terma realë, vetëm në vitin 2014, në sektorin publik e për arsye elektorale, ka qenë më e madhe se norma e rritjes së inflacionit në këta 5 muajt e fundit. Ndonëse ky krahasim mund të mos jetë i drejtë për shkak të a) faktit që rritja e pagave në 2014 nuk ka asnjë lidhje me inflacionin në 2022 dhe b) dallimit të kohëve që mbulojnë të dhënat (muaj vs. vite), është më i miri që mund ta bëjmë me të dhënat publike nga e kaluara. Prandaj, jo vetëm që nuk qëndron deri tani, por edhe gjatë tërë vitit 2022 është shumë pak e mundshme që rritja e pagave (sidomos në sektorin privat) ta përcjellë trendin e rritjes së çmimeve. Aq më pak ta tejkalojë atë”, tha Jakurti në reagimin e tij.

Dardan Shabiu, nga qyteti i Vitisë, i tha Nacionales se është i habitur me deklaratat e deputetit të VV-së nisur nga fakti që si punëtorë i sektorit privat nuk ka përjetuar rritje të pagës.

“Unë çuditem shume me këtë deklaratë, si punëtorë i sektorit privat rroga nuk me është rritur fare ,kurse harxhoj më shumë se dyfish vetëm për racionet ditore (drekës) në punë. Duke ditur se çdo lokal që shërben ushqim në Prishtinë ka pasur rritje te çmimeve afërsisht 50%“, tha ai.

E Kenan Gashi nga qyteti i Ferizajt tha se rritja e pagave në vendin tonë është në nivelin më të ulët në krahasim me shkallën e inflacionit.

“Duke pasur parasysh gjendjen aktuale ekonomike në vendin tonë, rritja e rrogave është në nivelin më të ulët në krahasim me rritjen e çmimeve, nëse krahasojmë një litër naftë para nje viti ka qenë 0.89 cent kurse tani shitet për 1.78, që i bie se kemi rritje mbi 100%. Poashtu, edhe artikujt elementar kanë pësuar ngritje 100% duke filluar nga vaji e mielli. Andaj, theksoj se kjo rritje duhej të ishte 450€ që qytetarëve sado pak t’ua lehtësoj këtë gjendje” deklaroi ai

Kurse Shemsi Jashari, udhëheqës i shoqatës së OJQ-së, e quan tallje deklaratën e deputetit të VV-së, Armend Muja, se pagat janë rritur më shumë se çmimet. Ai tha se shumë artikuj kanë pësuar rritje më shumë se 100 për qind, çka e bën të pakrahasueshëm me nivelin e rritjes së pagave.

“Është tallje me qytetarët nëse thuhet se pagat janë rritur më shumë se çmimet, po flasim kohën e tashmë, për diçka qe po e jetojmë çdo ditë, shumica e artikujve bazik janë rritur gati 100% më shumë, dhe pagat nuk kanë lëvizur në përgjithësi. Ndoshta ndonjë pozicion deficitar edhe është rritur si pasoj e ikjes së të rinjve drejt perëndimit por shumica absolute që jetojnë nga pagat janë në kufirin e mbijetesës. Këto janë të verifikueshme në deklarimet në ATK, pastaj kërkesat e mëdha për tërheqjen e trustit janë dëshmi se pagat janë të pamjaftueshme për mbijetesë me këto çmime. Qe për shembull në qytetin tim ku jetoj ne Vushtrri, pagat ne markete që sa kohe janë prej 200 euro deri 270. Asnjë më shumë se 270, kamrierët në kafiteri e në fast food, 250 euro ende i kane. Mobiljëritë 250 euro, furrat e bukës 180 euro”, tha ai.