Argjentina me Lionel Scalonin në stol ka pasur paraqitje pozitive teksa presidenti i Federatës së futbollit të Argjentinës, Claudio Tapia e ka konfirmuar trajnerin e ri deri në Copa American që zhvillohet verën e ardhshme në Brazil.
Scaloni që më herët ishte përzgjedhësi i Argjentinës U20 pasoi në kombëtaren A të shkarkuarin Jorge Sampaoli i cili pati një kampanjë zhgënjyese në Kampionatin Botëror të verës së kaluar.
Argjentina nën drejtimin e Scalonit ka zhvilluar 6 ndeshje të gjitha këto të karakterit miqësor, teksa numëron vetëm një humbje atë ndaj Brazilit në muajin tetor.
Fitoret e dyfishta me Meksikën, ato ndaj Irakut e Guatemalës si dhe barazimi me Kolumbinë, duket se e kanë bindur presidentin Tapia të konfirmojë Scalonin.
“Është e rëndësishme të dijmë se çfarë duam për kombëtaren tonë. E kemi parë performancën e Scalonit dhe do t’i ofrojmë atij mundësinë të drejtojë Argjentinën deri në Copa America”, theksoi Tapia.
Gjatë kohës së Scalonit te “Albicelestët” nuk është grumbulluar ylli kryesor, Lionel Messi që e vazhdon pushimin nga kombëtarja, ndërsa 40 vjeçari është lavdëruar për integrimin e dyshes së re të sulmit, Mauro Icardi dhe Paulo Dybala që realizuan golat e parë me fanellën e Argjentinës në takimin e fundit ndaj Meksikës.







