Argjentina me Messin e “skuqur” zë vendin e tretë në Copa America

Skuadra e Lionel Scalonit u desh të luajë pjesën më të madhe të ndeshjes pa fenomenin Lionel Messi në ndeshjen kundër Kilit për vendin e tretë në Copa America.

Kjo pasi Messi u ndëshkua me të kuq në minutën e 37-të pas një përleshjeje që pati me Gary Medelin e Kilit, i cili po ashtu u përjashtua nga loja. Kjo bëri që dy skuadrat të mbesin pa kapitenët e tyre të parë.

Ndeshja nisi si është më së miri për Argjentinën, e cila kaloi në avantazh qysh në minutën e 12-të përmes Sergio Agueros, ndërsa për të dyfishuar rezultatin u përkujdes Paolo Dybala vetëm 10 minuta më pas.

Por, ndeshja mori kah tjetër kur në luftë për top u kacafytën Messi e Medel, dhe të dy u përjashtuan nga loja.

Pjesa e parë nuk soli ndryshim në rezultat, por rreth 15 minuta me të filluar pjesa e dytë, Arthuro Vidal mori guximin që të gjuajë nga pika e bardhë për të ngushtuar epërsinë e Argjentinës në 2-1.

Ky edhe ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes, duke i siguruar kështu Argjentinës së Messit vendin e tretë në këtë garë.

Ndërkaq, Brazili do të përballet me Perunë në finalen që zhvillohet nesër në Rio de Janeiro.