Argjentina duhet patjetër ta mposhtë Katarin për të vazhduar tutje

Kupa e Amerikës po futet në një fazë mjaft interesante, pasi sot do të jetë radha e grupit B, që të mbyllë llogaritë dhe të përcaktojë renditjen përfundimtare të skuadrave, si dhe verdiktin se cilat ekipe do të vazhdojnë për në çerekfinale.

Kështu në orën 21:00 Argjentina do të përballet me mysafiren e kompeticionit, Katarin, ku do të kërkojë edhe fitoren e parë, që është shndërruar në një detyrim për të besuarit e Lionel Scalonit, pasi çdo rezultat tjetër do t’i linte jashtë çerekfinaleve.

Albicelestët vijnë pas një humbjeje dhe një barazimi dhe kanë vetëm një pikë, po aq sa edhe Katari, por kanë ende shpresa të shumta për të kaluar në çerekfinale, qoftë duke u renditur në vendin e dytë, qoftë duke u bërë pjesë e dy vendeve të treta më të mira.

Por për të vijuar më tej aventurën në Kupën e Amerikës, Lionel Messit me shokë do t’ju duhet të mposhtin Katarin me sa më shumë gola dhe të shpresojnë që Paraguai të mos marrë 3 pikët ndaj kryesueses së grupit, Kolumbisë.

Edhe sfida mes këtyre të fundit dhe Paraguait do të startojë në orën 21:00, ndërsa të dy ndeshjet do të transmetohen në ekranin e Supersport 2 dhe 3, ashtu si emisioni “Sambar” që do të startojë në orën 20:00 dhe do të vijojë edhe në përfundim të takimeve me analiza dhe komente.