Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Prishtinë ka zhvilluar një takim me Presidentin e Këshilli Evropian, Antonio Costa, ku është diskutuar për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe sfidat në procesin e integrimit.
Gjini e cilësoi takimin si produktiv, duke theksuar se gjatë bisedës ka riafirmuar qëndrimin e Aleancës për rrugëtimin euroatlantik të vendit.
Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe NATO mbeten orientimi i vetëm strategjik për Kosovën, ndërsa avancimi drejt këtyre strukturave kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional dhe politik.
“Kosova ka ende shumë detyra dhe reforma për të përmbushur në procesin e integrimit, prandaj na duhen institucione të forta dhe stabile. Vendi ynë ka humbur mjaft kohë pa institucione funksionale”, ka deklaruar Gjini.
Ai theksoi se periudha pas zgjedhjeve do të jetë e rëndësishme për përcaktimin e hapave të ardhshëm politikë dhe institucionalë, duke nënvizuar nevojën për një plan të qartë pune për të ardhmen e vendit.
Gjini tha se pret rezultatin e zgjedhjeve të fundjavës për të parë drejtimin e zhvillimeve të ardhshme politike, duke shprehur bindjen se Kosova duhet të ecë përpara me institucione stabile dhe me fokus të qartë në integrimin evropian dhe euroatlantik.







