Ardhja e Selmanit te Kosova në dyshim

Hiç më pak se 16 futbollistë dhe pesë anëtarë tjerë të skuadrës së Hammarbyt, ku aktivizohet sulmuesi Astrit Selmani, kanë rezultuar pozitiv në testin për koronavirus. Infektimin e 16 lojtarëve dhe karantinimin e menjëhershëm të gjithë skuadrës, e ka konfirmuar edhe drejtori sportiv i Hammarbyt, Jesper Jansson të martën për faqen zyrtare të klubit.

Ai nuk ka zbuluar emrat e futbollistëve të infektuar por ka shtuar se të gjithë ata që kanë dalë pozitiv me COVID-19, janë me simptoma të lehta. Selmani së fundi ka marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji por ardhja e tij mbetet në dyshim për shkak të situatës te skuadra e Hammarbyt.

“Ne kemi marrë masa të forta për të ndaluar përhapjen e infeksionit dhe ky është fokusi ynë.Shumica dërrmuese kanë simptoma të lehtë dhe për këtë arsye kemi reaguar menjëherë. Gjëja më e rëndësishme për ne për momentin është të ndalojmë përhapjen e infeksionit brenda klubit tonë, dhe natyrisht ne jemi shumë të kujdesshëm që të mos rrezikojmë përhapjen e infeksionit më tej brenda futbollit suedez”, ka thënë Jansson.

“Ne e morëm rastin e parë të konfirmuar në fillim të muajit, dhe ai lojtar sigurisht u izolua menjëherë. Javën e kaluar, më shumë lojtarë treguan simptoma, dhe ishte data 11-12 Mars që morëm të konfirmuar shumicën e rasteve. Nga testet që u bënë dje, ne kemi marrë raste shtesë të konfirmuara, një total prej 16 lojtarësh dhe pesë drejtuesve”. Selmani muaj më parë iu bashkua Hammarbyt.