Anëtarja e VV’së, Arbërie Nagavci ka kërkuar që të votohet mocioni për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ajo tha se disa deputetë ndryshe po deklarojnë e ndryshe po veprojnë.

“Partitë dhe përfaqësuesit e tyre që bëjnë kritika për keqqeverisje dhe keqmenaxhim të Qeverisë Hoti, i ftojmë të nënshkruajnë kërkesën për mocion dhe pastaj ta votojnë atë. Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë të paktën le të na kursejnē nga deklarata e paraqitje joserioze e të pa sinqerta në Kuvend, konferenca e studio televizive.”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

Hipokrizi është të deklarosh diçka e të veprosh diçka tjetër.

Grupi parlamentar i Lëvizjes ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për Mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, sepse beson se janë të shumta argumentet që e dëshmojnë̈ se kjo qeveri është̈ e papërgjegjshme dhe e paaftë.

Vendit i duhen institucione të legjitimuara, me udhëheqës të ndershëm, të besueshëm e profesionist.

Partitë dhe përfaqësuesit e tyre që bëjnë kritika për keqqeverisje dhe keqmenaxhim të Qeverisë Hoti, i ftojmë të nënshkruajnë kërkesën për mocion dhe pastaj ta votojnë atë. Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë të paktën le të na kursejnē nga deklarata e paraqitje joserioze e të pa sinqerta në Kuvend, konferenca e studio televizive.

Qytetarët, bizneset, institucionet kanë brenga e po përballen me shumë sfida.

Koha është për veprime konkrete e të shpejta, jo për deklarata të paqëndrueshme e kalkulime partiake.