Arbër Zeneli: Më 26 mars mund ta shkruajmë historinë

Futbollisti i Kosovës Arbër Zeneli, ka publikuar një shkrim prekës në Facebook duke ia kushtuar legjendës së ndjerë të futbollit Fadil Vokrri, dhe ndeshjes kundër Maqedonisë së Veriut që zhvillohet në Shkup më 26 mars.

Zeneli tha se pikërisht me këtë datë djelmoshat e Kosovës mund ta shkruajnë historinë duke qenë më afër se kurrë para kualifikimit në Kampionatin Evropian në futboll “Euro 2020”.

Në shtator të vitit 2018, Kosova e zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe arriti të shënojë fitore me rezultat 2:0 kundër Ishujve Faroe.

Në atë ndeshje kishte shënuar pikërisht Arbër Zeneli, që golin ia kishte dedikuar ish-futbollistit legjendar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, tashmë i ndjerë, Fadil Vokrrit.

Tash që Kosovën e pret një tjetër ndeshje historike, ajo kundër Maqedonisë së Veriut më 26 mars në gjysmëfinale të play-offs për kualifikime në Kampionatin Evropian, Zeneli e ka kujtuar sërish Vokrrin dhe golin e tij në ndeshjen historike të Kosovës kundër Ishujve Faroe pothuajse dy vjet më parë.

“Ky gol iu dedikua një personi të veçantë! Një personi që e ngriti futbollin tonë në një tjetër nivel. Më 26 mars mund ta shkruajmë historinë dhe ta bëjmë ate dhe vendin tonë krenarë! #serishvjenmarsi”, shkroi Zeneli.