Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), mjeku i njohur Arbër Tolaj, ka reaguar pas raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), duke e cilësuar gjendjen ekonomike në Kosovë si alarmante dhe të papranueshme për qytetarët.
Përmes një postimi publik, Tolaj tha se Kosova renditet si vendi i dytë më i varfër në Evropë, ndërsa papunësia e të rinjve mbetet rreth 30 për qind.
“Ky nuk është potenciali i vërtetë i vendit tonë. Ky realitet duhet të ndryshojë urgjentisht”, ka deklaruar ai.
Tolaj theksoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka një plan të qartë për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.
Sipas tij, fokusi kryesor do të jetë mbështetja e prodhimit vendor, ulja e kostove të energjisë për bizneset dhe krijimi i politikave që lidhin arsimin me tregun e punës.
“Mbështetje e fuqishme për prodhimin vendor për të hapur vende të reja pune, ulje e kostove të energjisë për bizneset tona dhe zgjidhje konkrete për rininë duke e lidhur arsimin direkt me tregun e punës”, ka shkruar Tolaj.
Ai shtoi se Kosova nuk meriton të mbetet në fund të listave evropiane për zhvillim ekonomik dhe standard jetese.
“Është koha për ndryshim dhe zhvillim të vërtetë”, përfundoi kandidati i AAK-së.
Arbër Tolaj garon me numrin 5 në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).







