Kandidati për deputet nga radhët e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Tolaj, i cili garon me numrin 5 në listën e partisë, ka theksuar përkushtimin e tij për forcimin e mbështetjes institucionale ndaj profesionistëve shëndetësorë në Kosovë.
Përmes një postimi, Tolaj ka deklaruar se do të angazhohet fuqishëm që mjekët dhe infermierët të gëzojnë më shumë mbështetje dhe vlerësim nga shteti, duke e cilësuar rolin e tyre si jetik për funksionimin dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor.
“Do të punoj fuqishëm që mjekët dhe infermierët tanë të kenë më shumë mbështetje dhe vlerësim nga shteti”, ka shkruar Tolaj.
Ai ka nënvizuar rëndësinë e krijimit të kushteve më të mira për stafin shëndetësor, duke theksuar se investimi në profesionistët e shëndetësisë është investim në mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve.
Deklarata e kandidatit të AAK-së vjen në një kohë kur çështjet që lidhen me kushtet e punës, motivimin dhe mbështetjen e personelit shëndetësor vazhdojnë të jenë ndër temat kryesore të debatit publik në vend.







