Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës dhe mjeku i njohur, Arbër Tolaj, ka deklaruar se pa ndërtimin e Sistemit të Informimit Shëndetësor (SISH) dhe pa një sistem funksional të referimit, Ligji për Sigurime Shëndetësore nuk mund të zbatohet në praktikë.
Përmes një postimi publik, Tolaj ka kritikuar gjendjen aktuale në sektorin e shëndetësisë, duke thënë se sistemi funksionon në “kaos” për shkak të mungesës së koordinimit digjital.
Sipas tij, pacientët përballen çdo ditë me vonesa dhe mungesë të organizimit, ndërsa QKUK-ja mbingarkohet edhe me raste që mund të trajtohen në nivel lokal.
Tolaj ka bërë të ditur se reforma që propozon Aleanca nis nga Mjekësia Familjare, ku çdo qytetar do të ketë mundësinë të zgjedhë mjekun e tij familjar.
Ai ka shpjeguar se përmes sistemit digjital SISH, mjeku familjar do ta referojë pacientin direkt në spitalet rajonale, ndërsa vetëm rastet më të komplikuara do të dërgohen në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).
“Me këtë rrugëtim të qartë digjital, ne ulim fluksin, shkurtojmë listat e pritjes dhe i hapim rrugë zbatimit të plotë të Sigurimeve Shëndetësore”, ka theksuar Tolaj.
Në fund, ai ka shtuar se “Shëndetësia nuk rregullohet me improvizime, por me sistem të qëndrueshëm”.







