Mjeku i njohur dhe kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arbër Tolaj, ka reaguar ashpër ndaj vizitës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Komunën e Mitrovicës, ku ajo u takua me kryetarin e komunës, Faton Peci.
Përmes një postimi publik, Tolaj vlerëson se kjo vizitë nuk reflektoi rolin kushtetues që duhet të ketë Presidentja e Republikës, duke akuzuar Osmanin se ka vendosur interesin partiak mbi atë shtetëror. Sipas tij, një qasje e tillë ka ndikuar negativisht në kredibilitetin dhe besueshmërinë e institucionit të Presidencës.
Tolaj thekson se politizimi i skajshëm i kësaj vizite krijoi përshtypjen e një rreshtimi të hapur politik, gjë që, sipas tij, nuk i shërben as Mitrovicës, as qytetarëve, e as vetë institucionit të Presidentes. Ai veçon si veçanërisht shqetësuese afërsinë dhe mesazhin politik të përcjellë në linjë me partinë Guxo, të cilën Presidentja Osmani e ka themeluar së bashku me kryetarin e komunës.
“Kjo e vë në pikëpyetje paanshmërinë institucionale që pritet nga posti më i lartë përfaqësues i shtetit,” ka shkruar Tolaj, duke shtuar se Presidentja duhet të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe jo zëdhënëse politike apo pjesë e kalkulimeve partiake.
Në fund, ai thekson se kreu i shtetit duhet t’i shërbejë interesit të përgjithshëm dhe jo atij partiak.
Arbër Tolaj është kandidat për deputet nga AAK-ja me numrin 5 në listën zgjedhore.







