Gjykata e Apelit

Apeli i vërteton dënimin me 18 vjet burgim të akuzuarit për vrasjen me thikë në kafenenë “n’Konak” në Ferizaj

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me 18 vjet burgim ndaj të akuzuarit Dardan Shabani, për vrasjen e tani të ndjerit  E.I, në vitin 2018 në Ferizaj.

Gjykata Themelore në Ferizaj, në rigjykim më 17 korrik 2023 e kishte dënuar Shabanin me 18 vjet burgim.

Ndaj aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Ferizaj, duke i propozuar Apelit që ndaj të akuzuarit Shabani të shqiptojë dënim më të ashpër. Të njëjtin propozim e kishte bërë edhe pala e dëmtuar.

Po ashtu, ankesë kishte parashtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shabani, avokati Skender Musa, duke i propozuar Apelit që vendimin e Themelores ta ndryshojë, ashtu që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza, me pretendimin se ka vepruar në mbrojtje të nevojshme.

Mirëpo, sipas vendimit të Apelit, pretendimet ankimore të palëve në procedurë nuk qëndrojnë dhe se vendimi i Themelores nuk përfshihet në shkelje të dispozitave ligjore që do ta kushtëzonin anulimin e këtij vendimi.

Sipas Apelit, dispozitivi i shkallës së parë është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, pasi ka ndërlidhje midis dispozitivit dhe arsyetimit të dhënë në vendim sa i përket dënimi të të akuzuarit për veprën penale “Vrasje e rëndë”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithnjë sipas Apelit, është argumentuar se i akuzuari Shabani ka qëlluar me thikë tani të ndjerin pikërisht siç edhe janë përshkruar veprimet inkrimuniese.

Shkalla e dytë vlerëson se nga provat dhe shkresat e lëndës del se vrasja është kryer si hakmarrje e paskrupullt, pasi që vërtetohet se i akuzuari para një viti kishte konflikt fizik me tani të ndjerin E.I, për çka ky i fundit edhe ishte shpallur fajtor për vrasje në tentativë.

Më tej, thuhet se marrë parasysh vetë deklaratën e të akuzuarit Shabani, deklaratën e dëshmitarit okular F.B, por edhe video-incizimin, lë të kuptohet se ka ekzistuar dashja direkte në këtë rast.

Po ashtu, të drejtë Apeli e ka gjetur edhe caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit në këtë rast, pasi që sipas kësaj gjykate, Themelorja drejt ka marrë për bazë qoftë rrethanat lehtësuese apo rënduese me rastin e caktimit të dënimit të shqiptuar si në shpallje të aktgjykimit.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, në këtë rast i ngarkonte Dardan Shabanin, Meriton Muselin dhe Albion Ahmetin.

Lidhur me këtë rast, në gjykimin e parë, më 1 shkurt 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj i kishte dënuar me 25 vjet burgim (së bashku) tre të akuzuarit për vrasje të rëndë e pjesëmarrje në rrahje.

Ndërsa, më 16 prill 2021, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë çështje në rigjykim për të akuzuarit Dardan Shabani dhe Meriton Murseli. Mirëpo, meqenëse i akuzuari Murseli jeton në Kanada, ndaj tij ishte veçuar procedura.

Kurse në rigjykim, Gjykata Themelore në Ferizaj më 17 korrik 2023 e kishte dënuar Shbanin më 18 vjet burgim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 mars 2019 nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Dardan Shabani akuzohet se më 15 qershor 2018, rreth orës 22:10, në kafenenë “n’Konak” në Ferizaj, me dashje direkte dhe me qëllim të hakmarrjes kishte privuar nga jeta tani të ndjerin E.I, për shkak të një mosmarrëveshje të para një viti, ku tani i ndjeri e kishte goditur me thikë, me çka i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Shabani, së bashku me të akuzuarit Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti, kishin shkuar në kafene ku tani i ndjeri kishte punuar si sigurim fizik, me ç’rast kishte nxjerrë një thikë me të cilën në mënyrë tinëzare e kishte goditur në pjesën e gjoksit, duke depërtuar deri në zemër, kurse të pandehurit Murseli dhe Ahmeti, e kishin goditur me karrige dhe shishe të birrës, me ç’rast, tani i ndjeri ishte rrëzuar dhe i pandehuri Shabani e kishte goditur edhe tetë herë të tjera me thikë në pjesën e shpinës dhe një herë në pjesën e qafës, nga të cilat goditje E.I pëson lëndime të rënda trupore dhe gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, si pasojë e të cilave kishte ndërruar jetë.

Për këtë, i pandehuri Shabani akuzohej për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafi 1.8 i Kodit Penal.

Po ashtu, më datë dhe vend të njëjtë, ai i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit E.Sh., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari kishte ndërhyrë për t’i ndarë të pandehurin dhe tani të ndjerin, Shabani e kishte goditur me thikë në parakrahun e dorës së djathtë, i cili kishte tejshpuar parakrahun.

Për këtë, ai akuzohej për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal

Në datë dhe vend të njëjtë, të pandehurit Murseli dhe Ahmeti, sipas Prokurorisë, edhe pse kishin qenë të paprovokuar, kishin marrë pjesë në rrahje ku kishte mbetur i vdekur i ndjeri E.I., në atë mënyrë që atë dhe pjesëmarrësit e tjerë që kishin tentuar t’i ndajnë, i kishin goditur me shishe të birrës.

Për këtë, secili veç e veç thuhet se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, nga neni 190, paragrafi 2 i Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me datë dhe kohë të njëjtë, të pandehurit Musliu dhe Ahmeti thuhet se i kishin shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarve I.E dhe E.Sh., të cilët kishin tentuar që t’i ndanin të pandehurit dhe tani të ndjerin, ku që të dy të akuzuarit i kishin goditur të dëmtuarit me karrige dhe shishe të qelqit, nga të cilat goditje të dy të dëmtuarit kishin pësuar lëndime të lehta trupore.

Për këtë, ata thuhet në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.